Përfshirja e prindërve në edukim dhe vendosjen e prioriteteve për të ardhmen

Studimi synon të përmirësojë cilësinë e arsimimit të fëmijëve, duke nxitur përfshirjen e prindërve në shkollë dhe bashkëpunimin me mësuesit. Ajo çka synohet është njëkohësisht edhe demokratizimi i mëtejshëm i arsimit dhe bërja e tij më i hapur për klientët, gjë që do të pasqyrohet në një edukim më të mirë për fëmijët. 

Duke marrë parasysh se përmirësimet dhe reformat në këtë drejtim duhet të ndërmerren vetëm duke njohur mirë gjendjen ekzistuese, studimi ka patur si veprimtari kryesore vlerësimin e situatës ekzistuese në të gjitha qarqet e Shqipërisë, dhe ballafaqimin me përvojën evropiane, për të dalë me një plan masash dhe veprimesh që do të sjellin si rezultat një pjesëmarrje më intensive dhe të organizuar të prindërve në çështjet e arsimit, në të gjitha nivelet. Për këtë, studimi është kryer në rang vendi duke marrë parasysh të gjitha arritjet aktuale, dhe po ashtu edhe problemet dhe pengesat.

Rezultatet e studimit janë një element që do të përdoret për hartimin e një Plani Veprimi për rritjen e pjesëmarrjes së prindërve në arsim, i cili do të miratohet nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës dhe do të bëhet platforma drejtuese për rritjen e nivelit të përfshirjes së prindërve në edukim, në të mirë të fëmijëve dhe të realizimit të të drejtes së tyre për një arsimim cilësor dhe dinjitoz. Studimi synon t’u  ofrojë hartuesve të politikave arsimore dhe aktorëve të arsimit rezultatet e një studimi të gjërë mbi përfshirjen e prindërve në arsim, dhe më tej, një plan veprimi, për të hedhur hapa përpara në këtë drejtim. Studimi është kryer në periudhen tetor-nëntor 2006 (mbledhja e të dhënave në terren)  ndërsa përpunimi, analizimi i tyre dhe formulimi i raportit, në periudhën dhjetor 2006-mars 2007.

Studimi është bazuar në bërjen e pyetsorëve dhe intervistave me prindërit, me organet arsimore të niveleve të ndryshme, si dhe mbledhjen e dokumentacioneve përkatëse. Si përfundim i përgjithshëm mund të thuhet  se nga studimi rezulton se ka arritje dhe përparim në drejtim të përfshirjes se prindërve në edukim në rang vendi, si psh në drejtim të instalimit të bordeve të shkollave dhe këshillave të prindërve, por njëkohësisht edhe dobësi, si psh në pavarësinë e funksionimit të organizmave të prindërve, në punën e shoqatave të prindërve, në bashkëpunimin me Drejatoritë arsimore Rajonale/Zyrat arsimore, pushtetin vendor dhe Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës si dhe në nivelin e tyre të përgjithshëm të ndërgjegjësimit për rolin që kanë si edukues të fëmijëve.

Po kështu, edhe mësuesit  kanë nevojë për më shumë njohuri dhe shprehi praktike për ndërtimin e bashkëpunimit me prindërit. Mbledhja e të dhënave për studimin është bërë nëpërmjet  pyetësorëve dhe intervistave të shpërndara në 12 rrethe të vendit. Njëkohësisht, kudo ku ka qenë  e mundur, janë  kërkuar dhe mbledhur materiale dokumentuese që paraqesin punën dhe veprimtaritë e bëra nga shkollat ose organizatat e ndryshme në fushën e arsimit, lidhur me bashkëpunimin me prindërit. Pyetësorët dhe intervistat janë  zhvilluar në 12 rrethe: Burrel, Peshkopi, Elbasan, Librazhd, Fier, Gjirokastër, Has, Korçë, Pogradec, Kukës, Tiranë, Vlorë. 

Pyetësorët janë  hartuar në tre lloje: për prindërit, për mësuesit dhe për drejtuesit e shkollave. Me drejtuesit e shkollave janë zhvilluar edhe një numër intervistash për të mbledhur mendime, që ndoshta mund të mos shpreheshin dot nëpërmjet  pyetesorit, si dhe për të verifikuar qendrimet e tyre nëpërmjet një mjeti tjetër të mbledhjes së të dhënave. Pyetësorët për të trija grupet, kanë synuar në mbledhjen e informacionti specifik për secilin grup por, njëkohësisht, edhe verifikimin e informacionit nëpërmjet  metodës së triangulimit, ose ndryshe me përsëritjen e pyetjeve për të njëjtën çështje në të trija grupet, për të pare se sa të afërta ose të ndryshme janë përgjigjet.

Numri total i pyetësorëve të plotësuar nga prindërit është 775, ndërkohë që janë  dërguar mbi 1000 pyetësorë. Nga këto 35,7 % janë  shpërndarë dhe plotësuar në zonat e fshatrave dhe 62,2 % në qytete. Mospërgjigjjet përbëjnë  2,1% (pra pyetësorë të mbledhur por të dorëzuar pa plotësuar pyetjet). Numri i pyetësorëve për mësuesit është 175 për të gjitha rrethet, nga ku 33% në fshat, 59,1 % në qytet dhe 8% të papërcaktuar.

Ndërsa, numri i pyetësorëve për drejtuesit e shkollave është 44 gjithësej, sipas shpërndarjes: fshat 36,4%, qytet 52,3 % dhe 56,8% në shkollat 9-vjeçare. Janë zhvilluar gjithsej 55 intervista nga të cilat: 9 me përfaqësues të DAR dhe zyrave të arsimit në rrethe,17 me drejtorë shkollash, 6 me punonjës socialë dhe psikologë shkollash, 8 me përfaqësues të pushtetit vendor në komunë ose bashki, 3 me përfaqësues të këshillave të prindërve,  5 me përfaqësues të shoqatave të prindërve, 2 me antarë bordi shkollash, 1 me prind (pa specifikuar pozicionin), 3 me punonjës të organizatave ndërkombëtare që punojnë për pjesëmarrjen prindërore në arsim, dhe 1 me përfaqësues të MASH. Ekipi i intervistuesve është përbërë nga 20 vetë, të shpërndarë në grupe 2-3 vetësh për çdo  rreth. Intervistuesit janë  trajnuar paraprakisht në 2 grupe për mënyrën e zhvillimit të intervistave dhe administrimin e pyetësorëve, si dhe për qëllimet dhe objektivat e projektit, për t’u dhënë një pamje dhe orientim më të gjërë të të gjithë veprimtarisë ku janë përfshirë.

Gjatë trajnimit dolën në pah mjaft pika interesante, që u morën parasysh gjatë proçesit të administrimit të pyetsorëve dhe intervistave. Pyetësorët janë përpunuar paraprakisht me SPSS (Statistical Package for Social Sciences), gjë që ka lehtësuar nxjerrjen në pah të anës sasiore të të  dhënave dhe të disa rezultateve fillestare. Analiza e të dhënave dhe nxjerrja e konkluzioneve është paraqitur duke analizuar veçmas prindërit dhe shkollat (mësuesit, drejtuesit, psikologët) si dhe organet drejtuese të arsimit si DAR, MASH dhe organet e pushtetit vendor. Megjithatë, brenda çdo grupi të analizuar, përfundimet janë  përmbledhëse dhe  përfshijnë edhe  mendimet dhe vlersimet e bëra nga grupet e tjera. 

Për realizimin e këtij studimi punuan Dr. Bardhyl Musai, Profesor i Asociuar,  Msc. Linda Gjermani si edhe një grup bashkëpunëtorësh. 
Financimi i studimit u bë nga UNICEF, programi i kombeve të bashkuara për fëmijët.
Shkarko materialin e plotë në PDF.

 

Partnere

Qendra për Arsim Demokratik newsletter

Rregjistrohuni me email per te marre te rejat me te fundit nga CDE

Na ndiqni në Facebook

Na Kontaktoni

Adresa Rruga Jordan Misja,
Pallatet Genner 2, 
Tiranë

Email: [email protected]


Sekretaria:
Tel: +355 44 50 90 11/12 / +355 69 80 60 934